Saturday, May 23, 2015
















TI MUA MOS MË BËJ ME FAJ!

Mikun që pata dikur më harroi,
Erdhi pranvera, sythet gjelbëroi.
Malli e kish marrë, papritur u kujtua, 
Se unë jam gjallë e duhem takuar...

Befas e shtangur ngela kur e pashë,
Gjuha m’u lidhe e asnjë fjalë s’i thashë.
Më pas mora vesh se ishte zemëruar,
E me akuzoi se unë e kisha harruar...

Përse qeshe me këto fjalë, o dashuri?
Ai që të do vërtetë, larg teje nuk rri,
Se dashuria mbahet gjallë po e vadite,
Çel lule si saksia dhe jeton ndër vite.

Ja, çfarë pyetje po më bën ti,
Më ke harruar e mend shet tani,
E më vjen duke u hequr si i lënduar,
Fajin tënd ua hedh të tjerëve pa përtuar.

Ti mua me faj, mos më bëj, o i uruar,
Si duket u vele dhe me ke harruar!
Nga ku pastaj u zhduke pa u diktuar,
Si puhizë mjegulle, duke u avulluar.

Ti melodinë e heshtur dikur dëgjove,
Dhe urinë time për dashuri kuptove.
Po lulja e mollës që ti nuhate në rini,
Çeli me vesën e buzëve dhe lotët e mi...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari
Tirane 23/05/2015

No comments:

Post a Comment