Monday, May 11, 2015
















PENTAGRAMI SHPIRTIT TIM

Në pentagramin e zemrës sime,
Sot nuk më tingëllon asnjë ton,
Vijoj të vendos nota kujtimesh, 
Por asnjë varg nuk po më rimon....

S’e di pse mendja krejt m’u stakua,
Kur melodi zemre kam për të dëgjuar,
Perse gjithë notat sot m’u çakorduan,
Serenatat e tua, mos më kanë harruar?

Vazhdoj, vazhdoj, ti vendos, siç dua,
Nëpër nota më shfaqesh ti duke qeshur,
E më thua, mos u zemëro, me mua,
Se unë të kam qëndruar pranë i heshtur.

Sa herë ti shkon diku nëpër gëzime,
Unë pa u kuptuar, me ty vallëzoj,
Dhe kur je e zhytur në hidhërime ,
Unë jam bashkë me ty dhe vajtoj.

Ti kujton se nuk të qëndroj pranë,
Dije se këtë e ke krejt gabim,
Rrahjet e zemrës tënde për mua janë,
Të ndjeshme dhe në kilometra dëgjim.

Merri notat muzikore një nga një ,
E vendosi me kujdes, aty ku duhen.
Çdo tel kitare ku unë gishta po vë,
Për ty e kthej në buqetë lulesh.

Qershori, po vjen dalëngadalë,
Kur ti e dashur, ditëlindjen ke,
Porsi bleta që pasi thith nektar,
Në gjoksin tënd do vi të fle....

Luljeta Gjosha Pashollari.
Tirane 02 /04 / 2015.

No comments:

Post a Comment