Erdha sonte këtë natë,
Te dritarja të përgjoja,
Doja të shuaja një mall,
Shpirtin tim ta qetësoja...
Ti kokën mënjanë ktheve,
E bere sikur nuk më pe,
Si ia bëre këtë zemrës sime,
Që natë e ditë për ty nuk fle?
Kur u njohëm ne në jetë ,
Unë për ty isha mrekullia,
Po tani, pse nuk më flet,
Vallë kaq pak ish dashuria?
Ku shkuan ato çaste përvëlimi,
kur ne të dy, bashkë jetuam?
Ku shkuan premtimet e tua,
Që pëshpërisje pa pushuar?...
Ku shkoi ai pasion i zjarrtë,
Që na flakëronte ne të dy?...
Paskan qenë gënjeshtra të rastit,
Kur unë të doja si dy sytë e mi.
Fjala “të dua” është konsumuar,
Ngaqë pa vend, kushdo e thotë.
Po dashuria është e shenjtëruar,
Nuk ka nevojë për fjalë kot...
Kaloj rrugës e një vajzë dëgjoj,
“Të dua zemër, sa sytë e mi !”,
Them me vete ishalla s’është lojë,
Të mos vuaj dhe kjo, si unë tani.
Poezi Luljeta Gjosha Pashollari