Thursday, September 24, 2015



























OH, SA MË MUNGON !

Më mungon komunikimi që kishim të dy,
Më mungon fjala jote e ëmbël në telefon,
Më mungon aq sa ti nevojën time nuk ma di, 
Me mungojnë pëshpërimat e zjarrta në dashuri.

Më mungon qenia jote, oh, sa më mungon,
Më mungon aq shumë, sa zjarri gjirin ma përvëlon,
Më mungon ëmbëlsia e shikimit të çiltër në ata sy,
Më mungon aq, sa s’di si ta shuaj zjarrin në gji...

Më mungon kudo prania jote, më mungon,
Në festa e gëzime, ku shkonim gjithmonë,
Ditët e bukura kur ne ishim me pushime,
Sa herë vjen behari, mbushem me trishtime.

Ditët e nxehta buzë detit, kur ne shkonim,
E fëmijët tanë si zogj në degë ciceronin,
Notonin nëpër dallgët e afër ju qëndronim,
E zemrat tona nëpër gjokse na gufonin...

Ku je tani, pse kaq larg nesh ti po qëndron,
Nuk të ka marre malli, me ne jetën të vazhdosh?
Fëmijët u rriten e ndërtuan çerdhet e tyre,
Zemra ime e vetme të pret nëpër takime...

Jeta për ne të dy u tregua krejt e padrejtë,
Vitet ikin e ndoshta do me largohesh në kujtesë,
Por jo, jo, ti je skalitur thellë në kujtesën time,
E zemra ime si një zgalem do të vijë në ato vise.

Të fluturojmë të dy nëpër ata qiej të lirë,
Të çucurisim në vesh fjalët e dashurisë,
Të kujtojmë ato vite të arta që jetuam bashkë,
Të shëtisim buzë detit, gjersa dielli të lindi prapë..

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari

No comments:

Post a Comment