Saturday, October 31, 2015



















FLUTUR E ZEMËRËS SIME

Flutura e bukur lozonjare
Shpesh më vjen në dritare,
Me mua yjet numëron, 
pëshpërit se ai më dashuron.

Zgjata dorën e ajo qëndroi,
dorën time e zbukuroi,
E më dha një porosi,
zemrën mos ia fal asnji.

Flutur, o perëndeshë me fletë,
Me ato dy krahët e tu të lehtë,
Erdhe vet, apo dikush të dërgoi,
Bota e përtejme ç’porosi dhuroi.

Flutur, dua të kuvendoj me ty,
Të kujtojmë netët kur ishim të dy,
Ta flakim tutje nostalgjinë,
Ta shtojmë më tepër dashurinë.

Flutur, eh moj flutura ime,
A do vijnë netët me përvëlime?
Flutur, o moj krahëshkruar,
Vetëm me ty, jam e dashuruar.

Kalojmë male, fusha e dete,
Eh, ç’më ke bërë për vete,
shëtis kodra, shëtis shtigje
Ty s’të largoj dot nga jeta ime,

Herë më ngjan si një zanë,
Që për vete përrallat i mban,
Herë më ngjan si një pëllumb
Që dashurinë ma shton më shumë.

Më thuaj, mall për kë ai ka ?
Për botën që këtu, e la?...
Po ashtu ishte shkruar fati,
S’ishte nga e keqja, as nga inati.

Flutura e zemrës sime gjithmonë,
Ti në çdo mendim më shoqëron,
Vargut tim, ti i jep frymëzim,
Nga mbrëmja deri në agim...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari
















E DUA VARGUN ...

E dua vargun të shkrepë si vetëtima,
Të djegë çdo krisje deri në rrënjë,
E dua vargun të rritet si fëmija, 
Këmbadoras të ngjitet, çudira të bëjë...

E dua vargun, ashtu siç është jeta,
Se me të unë shpreh shpirtin tim,
E dua vargun ku të lulëzojë e vërteta,
Se për mua është bërë si ushqim.

E dua vargun, se plagët m’i mjekon,
E ma përshkruan siç e dua dashurinë,
E dua vargun se shpirtin ma qetëson,
E ty pranë meje të mban në kujtim.

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari






















DO TË MË GJESH NË TË NJËJTIN VEND...

Do më gjesh gjithmonë te vendi ku u ndamë,
Do më gjesh të zhytur thellë në mendime...
E fundosur në iluzione dhe fjalët qe s’i thamë 
Të pres buze detit si pulëbardhë e plagosur në agime.

Hija jote kurdoherë do të më ndjek nga pas
Do të luaj me mua si një delfin nëpër valë,
Do të pres me sy të përmalluar e buzagaz,
Me një cigare duke e pirë ngadalë...

Unë do te pres, në çdo kohë do të pres,
Shpirti im kurrë nuk do të jetë i qetë,
Se zemër- jeta jonë ka mbetur në mes...
S'është lojë, por pritje e pa reshtur në jetë.

Derisa të digjemi në zjarrin që ndezëm të dy,
Do të më gjesh prapë në të njëjtin vend,
Do me përqafosh e puthësh në buzë e sy,
Ti nuk je, por unë do të jem gjithmonë aty...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari
 —
















GANI GJOSHA YLL I PASHUAR

Jam bija krenare e Ganiut,
Ku vuri këmbë dheu ndriu.
Gani Gjosha, ylli i pashuar ,
Gjaku i tij ndrit i praruar .

Në mes të minierës mbeti vrarë,
Mbeti për minierën si Fanar ,
minatorëve u tregonte udhën,
të donin minierën dhe punën.

Babai im, më i miri shokëve ishe ti ,
në galeri dhe jetën shumë i ri.
Vërtetë ca u bënë aty heronj ,
Po shumë të tjerë s’i zënë me gojë.

Baba i dashur shumë vite kanë shkuar ,
Po ne nëntë fëmijët s’të kemi harruar.
Jemi rritur e çerdhe kemi ndërtuar.
Se gjaku yt kristal në deje na ka buruar.

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari





















JAM BIJË E KËSAJ TOKE.

Jam një bijë nga Kanina,
aty ku kanë rënë trima,
tre kryeministra kanë varre, 
përballe Vlorës, janë thesare.

Jam një bijë kaninjote
Ballkon i Vlorës ndër mote,
Aty ku mori nuse Skënderbeu,
Famën e tij nderon gjithë dheu.

Jam një bije kaninijote,
Nga e bukura ndër mote,
Me kalanë shekullore
Karshi detit përkrenore.

Jam nga gjaku i shqiptarit,
Që Sulltanit i vuri zjarrin
Jam stërmbesë e Ismailit,
Që flamurin lartë e ngriti.

Jam vlonjate me besë burri,
Aty ku u valëvit flamuri,
Nga ai vend i praruar,
Me dy dete duar bashkuar.

Jam e do jem bijë kaninjote
Bijë shqiptare e kësaj toke,
Që më dha gjakun si flori
Brez pas brezi ky gjak do ndri...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari















Të lutem mos luaj, mbaj premtimet!...

Jemi larg, i dashur, jemi larg,
Mbase dhe me ke tradhtuar...
E vërtetoj me heshtjen e gjatë, 
E unë kujtimet si relikte të çmuar i ruaj.

Eva, me një mollë Adamin gënjeu,
Po ishim kohë të tjera atëherë,
Interesi në kohet moderne shpërtheu,
Me vjen keq, qe zemrën më theve...

E tani pres, si do më justifikohesh,
Kjo pritje e gjatë mua më trishtojë,
E kuptoj që s’më ke dashur shume,
Ndryshe nuk do bëjë ketë lojë.

E trishtuar pres çdo momentë,
Në dritaren e dhomës time,
Pritja për mua u bë gangrenë,
Të lutem mos luaj, mbaj premtimet!...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari




















DITARIN E JETËS SHFLETOVA NGADALË,

Ditarin e jetës shfletova ngadalë,
Padashje shfletova letrat e dashurisë ,
në kohen tonë pa internet vrapoja të dalë, 
kur postieri trokiste te dera e shtëpisë....

Letra me shkruaje e me premtoje shumë ,
E ëndrra ne thurnim për jetën e re.
Ti në Veri me shërbim ishe larg nga unë,
E unë në Jug letrat prisja me gaz e hare.

Po tani, vallë pse më paske harruar,
letër e asnjë haber s’më ke dërguar?
Dua të di, çfarë të ka zemëruar,
Mos je më mirë larg nesh, ku ke qëndruar?

Ditarin shfletoj e humbas në kujtime ,
Aty lexoj shumë e shumë fjalë e premtime,
Ti më premtoje se s,do ndaheshim kurrë,
Po nuk e mbajte fjalën, ndonëse je burrë.

Tani në ditar tre rreshta janë shtuar,
Nga dora jote një mall i përvëluar,
më thua mbushe ditarin edhe tani,
Ke nipër e mbesën, gjithë botën ke ti...

Unë për ty do të jem si diell mes resh,
Kur të më thërrasësh, pranë do më kesh,
Nga unë mësove, se ç’është e vërteta,
Prandaj i urreje gënjeshtrat që ka jeta.

Unë s’të gënjeva, po ashtu e deshi fati,
As unë s’jam rehat këtu te ky shtrati,
Ndonëse plagët akoma s’më janë shëruar,
Nga malli po digjem, për ty përvëluar...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari

















ZEMRAT TONA DO TË TAKOHEN PËRSËRI...

Ndenja ime për ty, po aq e zjarrtë ,
Si argjend me vezullon këtë natë...
Nga kujtesa ime nuk fshihet kurrë, 
Në çdo hap të jetës më shoqëron si dikur.

Jo, nuk mund të mbetesh i harruar,
Sytë i mbylle, po ti më shfaqesh praruar,
Zemra ime më shtrëngon, e më lëngon,
Kjo ndjenjë thellë shpirtin ma mundon.

Do të doja të harroja, por s’harroj dot,
Kujtimet e tua më ndjekin sot e mot.
Ndonjëherë çuditem me veten, ti a e di,
Sa e zjarrtë ka qenë dashuria ime për ty?

Nuk e kam ditur, kur ti ishe gjallë,
Se për ty do më digjte përjetë ky zjarr,
Mbase më shumë u kushtohesha të vegjëlve tanë,
Ndaj më fal, në të kam lënduar, të lutem më fal...

Më fal i dashur, se kur ti pranë më doje,
Në momente kritike në krah më shtrëngoje,
Mbase zemra të la, kur unë në komë isha,
Ndjehem me faj, që pranë teje nuk isha.

Vitet kalojnë e ti mbetesh ende i gjallë,
Malli më shtohet e me djeg si vullkan,
Mundohem të ngushëllohem me nipat tanë,
Më vjen keq, që s’i përqafove këta margaritarë.

Do të doja që ty të të kisha tani pranë,
Të më pëshpëritje në vesh fjalët plot zjarr,
Ai zjarr që do mbetet ndezur në përjetësi,
Se zemrat tona do të takohen përsëri...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari
 —
















MJALTI I MJALTIT TË SHPIRTIT TIM

Pak nga pak plagët po më shërohen, 
kur ty ne krah te mbaj gjithmonë,
rreze ylberi në shpirtin tim lëshohen,
të shikoj përditë që rritesh e lëshon aromë.

Të qënurit gjyshe e kisha provuar,
po ndjesia që më dhe ti s’kishte përshkrim.
erdhe ti yll ndricues,
Na mbushe të gjithë me gëzim...

Kur e lodhur kthehem në mbrëmje,
të marr në krah, të puth me mall.
Hallet e ditës me zvogëlohen,
Jeta me shtohet, bëhem me krah.

Drita e syve të mi, vogëlushi më buzëqesh.
Më thoni o miq, a ka më të bukur peshqesh?
Ndryshoi e imja dashuri, me tej kapërceu,
Mjalti i mjaltit shpirtin me blerim ma shpërtheu.

Dhe shpirti im shpërtheu i tëri në ujëvarë,
më mbylli plagën e shkuar, për të mos qarë.
Këtë mbrëmje kur vogëlushin në krah po mbaj,
Dua me ju, o miq, këtë gëzim të madh ta ndaj...

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari

Saturday, October 3, 2015
















MË TRISHTON KJO HESHTJA JOTE

Dua të prehem atje ku je ti, dashuri,
Të më falësh si dikur qetësi e ngrohtësi!
Pa ty, e humbur lodroj në këtë botë, 
Çdo çast më përvëlon kujtimet zjarri jot...

Kam mall, për ty, oh sa kam mall,
Të kërkoj në çdo skaj, po ku je vallë?
Se në ëndërr më vjen ti gjithmonë,
Si margaritar rrugën më ndriçon...

Kur krahët i zgjat e më pushton,
dhoma si nën rrezet e diellit avullon...
Ti në pëllëmbët e tua më përkund,
E unë në ninullat e tua e tëra humb...

Ku je tani, përse më je larguar?...
Apo me dikë tjetër më ke ndërruar?
Unë jam në pritje, si kurdoherë,
Petale trëndafili pres nga ty nëpër erë...

Eja dashuri, rri gjithmonë me mua,
të lodroj e të endem në pafundësitë e tua,
Dua këtë fillim tetori bashkë ta gëzojmë,
Vjeshtën me zjarr dashurie ta mbulojmë.

Më trishton pa reshtur kjo heshtja jote,
Eja të shëtisim si zogjtë nëpër mote!
Psherëtimat e tua më kanë munguar...
Të pres të vish natë e ditë e përmalluar!

Poezi Luljeta Gjosha Pashollari